Datat në etiketat e ushqimeve
Çfarë kuptojmë me “datë skadence” dhe “të përdoret para datës”?
Etiketat e ushqimeve ju ndihmojnë të bëni zgjedhje të sigurta dhe të informuara, duke pakësuar ndërkohë mbetjet nga ushqimet. Është thelbësore të kuptojmë dallimin ndërmjet datës së skadencës dhe të përdoret para datës.
Komisioni Evropian vlerëson se deri në 10% të 88 milionë tonëve të mbetjeve ushqimore që gjenerohen çdo vit në BE, lidhet me vendosjen e datës në etiketat e produkteve ushqimore.
Çfarë është “data e skadencës”?
Data e skadencës është tregues i sigurisë ushqimore. Ushqimet me këtë etiketë si mishi i freskët, peshku, sallatat e gatshme për konsum dhe produktet e qumështit nuk duhet të konsumohen pas kësaj date specifike, edhe nëse në pamje duken mirë, ose nuk mbajnë erë. Ekziston risku i sëmundjes nga baktere të cilat nuk i shihni dhe nuk i nuhasni.
Që produkti të përdoret në mënyrë të sigurt para datës së skadencës, zbatoni udhëzimet për ruajtjen e produktit, sipas specifikimit në etiketë. Gjithashtu mund ta gatuani ushqimin para kësaj date, gjë që ju jep pak më shumë kohë – ose konsumojeni brenda 48 orëve, nëse e keni ruajtur në frigorifer, ose futeni në ngrirje për ta konsumuar më vonë. Mos harroni të vendosni një etiketë në produktet e ngrira, ku të shënoni datën e ngrirjes, me qëllim që të mos ngatërrohen më vonë.
Çfarë do të thotë “të përdoret para datës”?
Shënimi të përdoret para datës është tregues i cilësisë së ushqimit. Pas kësaj date, ushqimi është ende i sigurt për konsum, gjithmonë nëse është ruajtur në mënyrën e duhur, por mund të humbasë disi shijen, cilësinë ose freskinë. Kjo etiketë shpesh vendoset në produkte me jetëgjatësi më të vonshme, të tilla si makaronat, orizi, produktet në kanoçe, ushqimet e ngrira dhe mes vakteve.
Për këto ushqime mund të përdorni shqisat për të verifikuar nëse janë ende të mira për konsum – mund t’i shihni me sy, t’i nuhatni ose t’i provoni çfarë shije kanë. Megjithatë, kjo këshillë nuk vlen për ushqimet me datë skadence, sepse mund të jenë të pranishme baktere të dëmshme, edhe nëse ushqimi në pamje duket në rregull.
Përcaktimi i datës në etiketat e ushqimeve bazohet shkencë. Vendosja e informacionit të qartë dhe të saktë në etiketë, shoqëruar me një kuptim më të mirë të datës së shënuar, ndihmon në garantimin e sigurisë ushqimore, duke pakësuar ndërkohë mbetjet nga ushqimet në BE.
Michaela Hempen, mikrobiologe ushqimore pranë EFSA.
Përse është e rëndësishme të kuptohet data e deklaruar në etiketë?
Të keqkuptuarit e datave në etiketë, ndikon në krijimin e mbetjeve nga ushqimet. Në BE, deri në 10% të mbetjeve nga ushqimet krijohen për shkak të ngatërresës ndërmjet skadencës dhe të përdoret para datës. Duke e ditur dallimin, ju mund të planifikoni vaktet në mënyrë më efektive, mund të ruani ushqimin në mënyrën e duhur, si dhe të merrni vendime më të mira për produktet që duhen mbajtur dhe ato që duhen hedhur.
Çfarë po bëhet për të përmirësuar shënimin e datës?
Për t’i bërë etiketat më të qarta dhe për të reduktuar mbetjeve nga ushqimet, shkencëtarët e sigurisë ushqimore dhe prodhuesit punojnë së bashku për t’u siguruar që datat të jenë të sakta. EFSA ka zhvilluar një instrument për të orientuar prodhuesit se kur duhet të deklarojnë data e skadencës ose të përdoret para datës, duke lehtësuar zgjedjen e informuar të konsumatorëve.
Duke kuptuar këto etiketa, ju mund të shijoni ushqimin në mënyrë të sigurt, të kurseni paratë dhe të ndihmoni në mbrojtjen e planetit, duke reduktuar sasitë e mbetjeve ushqimore.